Shehi trajner i ri i Shkëndijës! Ja përgjigjja e strategut durrsak!

Shkëndija para disa ditëve bëri ca ndryshime në strukturat e saja, edhe atë duke filluar nga presidenti, drejtori sportiv dhe disa poste tjera, por ende nuk ka plotësuar pozitën e trajnerit, shkruan “infOSport.mk”.

Kjo ka bërë që nëpër media të ndryshme të përmenden emra të ndryshëm si kandidat potencial për të marrë drejtimin e skuadrës tetovare.

Si zakonisht i pari në skenë doli Qatip Osmani, mirëpo kjo pistë shumë shpejtë ra në ujë, ndërsa së fundmi përmendej edhe emri i trajnerit aktual të Tiranës, Orges Shehi, i cili edicionin e kaluar me “blutë” nga kryeqendra shqiptare u shpall kampion i Shqipërisë.

I pyetur lidhur me interesimin e Shkëndijës, Shehi për mediat shqiptare u përgjigj: “Sot jemi para ndeshjes. Deri me 31 maj jam trajner i Tiranës. E kam të ngulitur në mendje mjaft mirë, pasi pas ndeshjeve të Europës kërkoja që të bëhej një ndryshim për të marrë përgjegjësitë e skuadrës. Nuk është momenti për të folur për këtë, pasi fokusi është 100% në ndeshjen e sotme”.

Tirana sot në kuadër të javës së katërt do të përballet me Kastriotin në transfertë. Pas 3 xhirove të para kampionët në fuqi të Shqipërisë, regjistruan një fitore, një barazim dhe një disfatë, duke u renditur në pozitën e katërt.

Aspak më mirë sezonin e ri nuk e nisi edhe Shkëndija e Tetovës, që në 6 xhirot e para me Shaqirin në krye morri 3 fitore, 2 barazime dhe 1 disfatë, duke u renditur në pozitën e tretë.

Pas shkarkimit të Shaqirit, ekipin e Shkëndijës në stërvitjen e fundit e ka udhëhequr Skender Jonuzi, pjesë e asaj treshe të ardhur bashkë edhe me Ibrahim Osmanin dhe Harun Isën, me këtë të fundit që do luaj rolin e Drejtorit Sportiv.

Tashmë mbetet të shohim, nëse Jonuzi do të udhëheq Shkëndijën edhe në vazhdim të sezonit, apo ndoshta drejtuesit e rinj “kuqezi” së shpejti do të sjellin një trajner të ri, me të cilin do të tentojnë rikthimin e titullit në Tetovë. (infOSport.mk)

Leave a Reply