Përfaqësuesja U16 e Maqedonisë, që udhëhiqet nga seleksionuesi shqiptarë, Dashmir Beari, ka barazuar pa gola (0:0) kundër moshtarëve të Sllovenisë, dje në miqësoren e parë që u zhvilua në stadiumin e FC Shkupit në Çair.
Të përzgjedhurit e trajnerit Beari kanë treguar një paraqitje të mirë, duke krijuar disa raste të mira për gol, ku vlen të theksohen sidomos ato rastet e pjesës së parë të Hisar Ali dhe Stefan Mladenovskit.
Në anën tjetër edhe kundërshtari provonte të rrezikonte portën e Onur Beshirit, megjithate ky i fundit ishte mjaft i vëmendshëm, duke mos lejuar që të preket rrjeta e tij
Në pjesën e dytë, trajneri Beari bëri disa zëvendësime në fushë, por ndryshim të rezultatit nuk pati, edhe pse kishte mundësi të mira për gol.
Inkuadrimi në lojë i Furkan Hirdës u prit me duartrokitje nga publiku në Çair, pasi ky lojtar është pjesë e shkollës së FC Shkupit.
Pikërisht, ky i fundit sapo hyri në lojë pati një rast të mirë për të rrezikuar portën e miqve, por në vend se të shutoj, ai vendosi të shërbej një bashkëlojtar të rij dhe rasti u huq.
“Ishte ndeshje e mirë, jam i kënaqur. Kishte edhe një penallti të pastër për ne, e cila nuk u akordua. Gjithashtu kishim edhe dy raste, por që nuk i realizuam”, – tha pas përfundimit të ndeshjes për Open-TV, trajneri Dashmir Beari.
Ndeshjen e dytë këto dy përfaqësuese do ta zhvillojnë ditën e enjte po në stadiumin e Çairit me fillim prej orës 16:30 minuta.