Klubi i futbollit, Shkëndija, pak minuta më parë përmes faqes zyrtare konfirmoi ndryshimet strukturore në udhëheqësi, për të cilat “infOSport.mk” ju kishte njoftuar që dy ditë më parë. Ky riorganizim i brendshëm brenda klubit tetovar u bë me qëllim arritjen e objektivave për periudhën që pason.
Pozita e presidentit iu besua profesor doktor Zamir Dikës. Profesori universitar vjen në krye të klubit të Shkëndijës pas angazhimit të tij paraprak akademik, ku mes tjerash ishte edhe Rektor i Universitetit të Evropës Juglindore.
Harun Isa u emërua Drejtor Sportiv i klubit, me ç’rast i njëjti do të jetë përgjegjës për pjesën sportive të klubit. Drejtori i ri sportiv i “kuqezinjëve” është emër i njohur i futbollit në vend dhe jashtë, ish-futbollist me karrierë të pasur ndërkombëtare. Përvoja e tij në Bundesligë me klubin Hertha BSC, e më vonë edhe me Tennis Borussia, Aue, Union Berlin e Vfl Osnabrück, si dhe paraprakisht me Hertha Zehlendorf, pritet të vihet në shërbim të Shkëndijës dhe në vitet në vijim synon ndërtimin e një skuadre që do të vazdhojë me suksese jo vetëm në skenën vendore, por edhe në atë ndërkombëtare.
Ekipi më i ngushtë i Harun Isës në departamentin sportiv përbëhet nga ish-futbollistë të Shkëndijës, Ibrahim Osmani dhe Skender Jonuzi.
Ibrahim Osmani është figurë e njohur e sportit në Tetovë, ish-futbollist i Shkëndijës dhe kapiten i gjeneratës së artë e cila në vitin 1996 për herë të parë në historinë e klubit u inkuadrua në elitën e futbollit vendor.
Vite me rradhë i njëjti është i angazhuar në Komunën e Tetovës në departamentin për sport.
Skender Jonuzi gjithashtu ishte pjesë e gjeneratës që solli debutim të Shkëndijës në Ligën e Parë si sulmues kryesor i ekipit për të cilin kontribuoi vite me rradhë. Më vonë në periudha të ndryshme ka shërbyer klubin si drejtor dhe ndihmës trajner, ndërsa në një periudhë krize ishte edhe trajner kryesor i ekipit.
Momentalisht ka rolin e ndihmës seleksionuesit të përfaqësueses A të Maqedonisë së Veriut.
Me këtë treshe mjaft të besueshme, “Ballistët”, tifozët tetovar por edhe gjithë ata shqiptarë, besojnë se Shkëndija mund ti arrijë obektivat dhe të ngjitet sërish në majat e futbollit vendor, e më pas edhe të shkëlqejë në skenën ndërkombëtare, që njëherit është edhe synimi kryesor i kësaj skuadre. (infOSport.mk)