Superliga e Kosovës prodhon sot 3 ndeshje, e gjithë vëmendja në “Fadil Vokrri” në derbin Prishtina-Ballkani!

Superliga e Kosovës në futboll do të vazhdojë sot me tri ndeshjet e mbetura të xhiros së pestë.

Nga ora 15:00, Drenica do të jetë nikoqir i Ferizajit, dy ekipe që kërkojnë fitoren për t’i ikur pozitave të fundit.

Momentalisht, Drenica gjendet e shtata me 4 pikë, derisa Ferizaji i Arbnor Morinës me vetëm 2 pikë të tubuara renditet në pozitën e nëntë.

Nga ora 15:00 do të zhvillohet edhe dueli tjetër mes Dukagjinit dhe Gjilanit të Zekirja Ramadanit.

Aktualisht, Gjilani i prin renditjes tabelare me 10 pikë, dy më shumë se Drita e Ardian Nuhiut, derisa Dukagjini mban vetëm pozitën e fundit me një pikë të arkëtuar.

Ndërkohë e gjithë vëmendja do të jetë e përqëndruar në ndeshjen e mbrëmjes, atë të orës 20:00 që do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” midis shumë herë kampionëve të Prishtinës dhe kampionit në fuqi, Ballkanit.

Të dyja skuadrat e kanë nisur mirë sezonin e ri, ashtu që edhe sonte do të tentojnë të bëjnë më të mirën.

Momentalisht, Prishtina e Ismet Munishit është në vendin e tretë me 7 pikë nga tri xhiro, kurse Ballkani ka zhvilluar vetëm dy ndeshje, duke regjistruar dy fitore.

Për këtë ndeshje vërehet një interesim i jashtëzakonshëm, ndërsa sipas asaj që raportojnë mediat në Kosovë, i gjithë stadiumi “Fadil Vokrri” do të jetë i mbushur me tifoz, sidomos me ata të skuadrës vendase, “Plisat”, edhe pse nuk do të mungojnë assesi edhe “Xhebrailat” nga Suhareka. (infOSport.mk)

Leave a Reply