Ish dyshja e Renovës Bajrami-Gavazaj arkitekt të fitores së Malishevës në Mitrovicë (VIDEO)

Malisheva, që këtë edicion u inkuadrua në mesin e më të mirëve në futbollin kosovar, të shtunën regjistroi fitoren e dytë sezonale, duke mundur Trepçën ’89 në Mitrovicë me rezultatin 2:3, njofton “infOSport.mk”.

Ariktekt të kësaj fitore mjaft të rëndësishme të skuadrës së Arsim Thaçit, ishte ish dyshja e Renovës, Medin Bajrami-Alush Gavazaj, që shënuan të tre golat e kësaj sfide.

Ishte mbrojtësi Bajrami që hapi rezultatin e këtij takimi të zhvilluar në stadiumin “Riza Lushta”, edhe atë në minutën e 25-të, kur mjaft mirë reagoi me kokë në zonën kundërshtare pas një goditje dënimi.

Golashënuesi më i mirë i kampionatit deri më tani në Superligën e Kosovës, Kristian Mba në minutën e 45-të barazoi gjithçka, duke bërë që skuadrat në pushim të shkojnë me barazim.

Dallimin në pjesën e dytë e bëri Alush Gavazaj, i cili realizoi dy gola për Malishevën, e ku vlen ti jepet hapësirë golit të tij të parë të shënuar në minutën e 54-të, që me siguri se do të konkurrojë edhe për golin e javës, e pse jo edhe të vitit në Superligën e Kosovës.

Në ato momente Gavazaj kaloi sërish në epërsi Malishevën, këtë herë me rezultatin 2:1, ndërsa në minutën e 68-të i njëjti futbollistë shënoi edhe golin e dytë personal dhe të tretin për Malishevën, skuadër kjo që në këtë mënyrë regjistroi një fitore të madhe në udhëtim te Trepça ’89, skuadër kjo që deri në fund të takimit, arriti që vetëm të zbus rezultatin në 2:3, falë golit të shënuar nga Erdin Dushi në minutën e 86-të.

Pas kësaj fitore, Malisheva me 6 pikë të tubuara në 4 takime renditet në pozitën e 5-të, ndërkoha Trepça ’89 mbetet në kuotën e 2 pikëve, duke mbajtur pozitën e 8-të. (infOSport.mk)

Leave a Reply