FC Shkupi sonte ndodhet para një provimi shumë të rëndësishëm. Skuadra nga Çairi do të zhvillojë ndeshjen e parë “play-off” të Ligës së Konferencës, kundër skuadrës kampione të Kosovës, Ballkani.
Është kjo hera e dytë me rradhë që FC Shkupi në garat europiane peshkon një skuadër kosovare. Vitin e kaluar në raundin e parë të Ligës së Konferencës, “bardheblutë” luajtën ndaj KF Llapit të Tahir Batatinës, duke i eliminuar ata në debutimin e tyre në Europë.
Si duket Batatina ende nuk e ka harruar atë eliminim, ndërsa pavarësisht rivalitetit të madh që ka me Ballkanin në Superligën e Kosovës, ai ka uruar skuadrën nga Suhareka, duke e mbështetur atë përmes një shkrimi në profilin e tij në “facebook”: “Forca Ballkani. Nuk ka rëndësi rivaliteti mes nesh, ne jemi në mbështetjen e juaj sepse ju përfaqësoni futbollin kosovar”, ka shkruar Batatina.
Mbetet të shihet nëse edhe Ballkani do të ketë fatin e Llapit, skuadër kjo që edhe këtë vit u eliminua që në turin e parë të Ligës së Konferencës, këtë herë nga skuadra malazeze e Buduçnostit me rezultatin e përgjithshëm 4:2.
Kujtojmë fituesi i dy përballjeve nga takimi FC Shkupi-Ballkani, do të kualifikohet në fazën e grupeve të Ligës së Konferencës, çka do të ishte një arritje e madhe për të dyja skuadrat, që në këtë mënyrë do shkruanin historinë, duke u ballafaquar me skuadra të njohura europiane. (infOSport.mk)