Kush janë modelet e suksesit? Në Tiranë ka stadium e kamera, në Prishtinë e Shkup ka progres, projekt, biznes. Teksa Tirana e Partizani kujtojnë se janë Real Madrid e Juventus, Shkupi e Ballkani kanë një ëndërr: të bëhen një ditë Dinamo Zagreb
Futbolli në Kosovë e Maqedoni ka probleme të natyrshme e logjike për shtete të vogla e të varfëra, por ama ka diçka që e bën me fitues se sa futbolli shqiptar në Europë.
Ata në kundërshti nga shumë klube të Superiores nuk kanë zgjedhur të imitojnë Perëndimin pa pasur as mundësi as gen. Nëse Tirana mendon se është Real Madrid e Partizani kujton se mund të bëhet një Juventus, teksa Laçit i duket vetja një Atletiko e Kukësit një Arsenal, shqiptarët e Kosovës e Maqedonisë kanë të tjerë idhuj.
Ata duan të jenë Dinamo Zagreb, Maribor ose Hajduk Split. Modele modeste me buxhete logjike, pa stadiume luksoze e pa media tërë shkëlqim. Ata – vëllezërit e vegjël që bënë mirë që nuk e dëgjuan vëllain e madh – nuk duan të shkojnë në Europë duke gabuar si gabojnë të mëdhenjtë, por duke imituar suksesin e të vegjëlve.
Shkupi e Ballkani nuk e kanë buxhetin e Tiranës dhe Partizanit, as historinë e tyre, por kanë vizionin, përulësinë, logjikën financiare dhe sportive, kanë nuhatjen për të zgjedhur trajnerë e lojtarë, e për të shkruar historinë e tyre të re të kohëve moderne. Nuk kanë luajtur asnjëherë me Ajaksin e Sëlltikun, por duke shkuar në këtë finale shqiptarësh i thanë Shqipërisë që: ju parakaluam.
Të vësh në peshore “gurë” nga e njëjta familje mund të tingëllojë patriotikisht perverse, por nëse i hedh një sy asaj çka ndodhi në Europën jo vetëm të shqiptarëve – shiko Maltën – kupton se shqiptarët e Shqipërisë enden prej vitesh në një ishull dështimi ku megjithëse harxhojnë më shumë.
Para se ata që kanë sukses, dështojnë me rregullsi aq sa këtë verë i thyen të gjitha rekordet duke mos fituar asnjë ndeshje në Shqipëri e duke na kthyer më shumë se 25 vite mbrapa. Një verë kaq e keqe për ne nuk numërohej që në mesin e viteve 90.
Nëse ne për momentin kemi stadiumin e bukur dhe kamerat HD – ta dijë Bota ç’luftë po bëhet kush e kush të paguajë më shumë për kampionatin do habitet – Kosova e Maqedonia kanë projektet, drejtoritë sportive, lojtarët, kualifikimet. Asnjë xhelozi, ata janë njësoj shqiptarë. Por janë shqiptarë të zgjuar. Jo si këta që kujtojnë se janë Reali, Atletiko, Juventus e Arsenali.