Struga Trim Lum sezonin e ri futbollistik në Ligën e Parë e nisi me këmbë të mbarë, duke mundur Pobedën me rezultatin 3:0. Dy gola në këtë ndeshje për ekipin strugan realizoi Besart Ibraimi, ndërsa një gol tjetër realizoi Fatjon Jusufi, shkruan “infOSport.mk”.
Që të dy erdhën gjatë kësaj merkatoje, duke treguar performancë të shkëlqyer edhe gjatë ndeshjeve kontrolluese, ndërsa një gjë të tillë dëshmuan edhe në start të sezonit të ri. Paraqitja e tyre kishte lënë të kënaqur edhe trajnerin Zaharievski, i cili thotë se e ka më të lehtë, kur në skuadër ke një futbollistë si Besart Ibraimi.
“Jam shumë i kënaqur nga debutuesit, e në veçanti nga Besart Ibraimi, i cili që në start tregoi se sa i vlefshëm do të jetë për skuadrën tonë. Ai që në start tregoi se jo rastësisht është rekordmeni i Ligës së Parë. Me të në sulm, me siguri se do ta kemi më të lehtë. Jam tepër i kënaqur edhe nga paraqitja e transferimeve tjera të kësaj merkatoje, si Jusufi, i cili gjithashtu shënoi gol, por edhe nga paraqitja e gjithë skuadrës” – tha Srgjan Zaharievski për faqen zyrtare të klubit strugan.
Struga Trim Lum ndeshjen e dytë të sezonit të ri do ta zhvillojë në transfertë kundër Bregallnicës në Shtip me datë 14 gusht. (infOSport.mk)