Sot në 14:00 në Nion të Zvicrës është hedhur shorti i turit të tretë kualifikues për Ligën e Konferencës, aty ku vendi ynë do të prezantohet me dy skuadra, Shkëndijën dhe Makedonija GJ.P, njofton “infOSport.mk”.
Kështu goglat deshën që Shkëndija në turin e tretë eliminatorë të këtij kompeticioni, por gjithnjë nëse kalon letonezët e FC Valmiera të luaj ndaj fituesit nga përballja mes AIK-ut suedez dhe ukrainasve të Vorskla Poltava.
Ndeshjen e parë të raundit të tretë që në program është me datë 4 gusht, “kuqezinjtë” e Artim Shaqirit do ta zhvillonin në transfertë, derisa një javë më vonë në Shkup, Shkëndija do të ishte në rolin e nikoqirit.
Ndërkohë Makedonija GJ.P e Muharem Bajramit në turin e tretë eliminatorë të Ligës së Konferencës, nëse do të kalonte bullgarët e CSKA Sofjes, do të përballej me fituesin nga përballja, Sent Patriks Athletic FC/Mura.
Për dallim nga Shkëndija, skuadra e Makedonija Gj.P ndeshjen e parë do ta zhvillonte si vendas me 4 gusht, ndërsa atë kthyese një javë më vonë në Shkup. (infOSport.mk)