FC Shkupi ka regjistruar një fitore komode 3:0 në ndeshjen e parë ndaj kampionëve të Gjibraltarit, Lincoln RED IMPS FC, ndeshje kjo e vlefshme për turin e parë eliminatorë të Ligës së Kampionëve, njofton “infOSport.mk”.
Të besuarit e trajnerit Goce Sedlloski që në start treguan se janë të urritur për fitore, me të cilën do kënaqnin tifozët e pranishëm në arenën “Todor Proeski”, të cilët për shkak shiut nuk është se ishin në numër edhe shumë të madh.
Megjithatë ata që ishin në shkallët e stadiumit përjetuan momente gëzimi, teksa gëzimi i tyre i parë ndodhi në minutën e 11-të, kur panë që sulmuesi i tyre Mamadu Danfa, përmes një slalomi si një skijim, arriti që të lirohet nga disa futbollistë kundërshtarë dhe më pas të mposhtë edhe portierin Coleing.
Ky i fundit kapituloi edhe në minutën e 29-të, këtë herë para goleadorit nigerian, Sandej Adentunxhi, i cili me një super goditje nga jashtë, në stilin “alla” Kuarezma, duke goditur topin me pjesën e jashtme të këpucës shënoi edhe një super gol tjetër në këtë përballje.
Me rezultatin 2:0 në favor të FC Shkupit, skuadrat shkuan në pushim, ndërsa fillimi i pjesës së dytë nuk doli të jetë edhe aq i mirë për ekipin e Goce Sedlloskit.
Mbrojtësi gjeorgjian, Gagi Margvelashvili, për shkak kartonit të dytë të verdhë ishte i detyruar që të lëshoj fushën që në minutën e 54-të, mirëpo kjo nuk solli ndonjë ndryshim në rrjedhën e lojës, pasi FC Shkupi vazhdoi me të njëjtin ritëm, teksa në minutën e 62-të, falë mbrojtësit veteran të Lincoln, Roj Çipelina, erdhi edhe deri te goli i tretë.
39-vjeçari Çipelina në tentativë për të pastruar në ato momente një top para sulmuesit Adentunxhi, shënoi një autogol mjaft interesant, që në fund doli të jetë edhe i fundit i këtij takimi, pas të cilit FC Shkupi thuajse me një këmbë ka siguruar kualifikimin për në raundin e dytë, ku e pret një dy luftim me gjigandët kroat të Dinamo Zagreb.
Megjithatë për të arritur deri te ajo përballje, fillimisht duhet të presim edhe ndeshjen e kthimit kundër Lincoln RED IMPS FC, që në program është me datë 12 korrik me fillim në ora 18:00. (infOSport.mk)
Foto: gol.mk