Shqipëria më në fund po bëhet me trajner, disa javë pas largimit të Xhani De Biazit. Të paktën kështu raporton “Sport Ekspres”, që mëson se zgjedhja tashmë është bërë dhe pritet zyrtarizimi brenda pak orësh: trajneri i ri do të jetë Kristian Panuçi.
Presidenti Duka ka qenë shumë i pavendosur në javët e fundit, pas bisedave me shumë trajnerë, duke përzgjedhur tre emra finalë: De Kanio, Panuçi e Sedorf. De Kanio kishte në krah të tij eksperiencën, që Duka e kishte si kusht mjaft të rëndësishëm, por në ditët e fundit Panuçi ia arriti të bëhej zgjedhje e parë.
Ish-trajneri i Livornos dhe Ternanës ka grumbulluar shumë eksperiencë si ndihmës i Fabio Kapelos në drejtimin e Rusisë në periudhën 2012-2014 dhe kjo ka ndikuar jo pak në zgjedhjen e Dukës, që i ka besuar edhe emrit të madh të Panuçit si futbollist.