Mesfushori i Kombëtares shqiptare, Kristjan Asllani ka vendosur të mbajë fanellën me numër 13-të te Interi, numër ky që më parë mbahej nga Andrea Ranokia, i cili karrierën vendosi ta vazhdojë te skuadra e sapoinkuadruar në elitën e futbollit italian, Monca.
Një gjë e tillë nuk është bërë zyrtare ende, por mund të ndodh që sot.
“Mbërritja tek Interi është kurorëzimi i një ëndrre për dikë që ka bërë tifozllëk gjithmonë për ngjyrat zikaltër, dhe që një vit më parë festonte në shtëpi fitimin e titullit kampion nga Lukaku me shokë, para se të fitonte titullin me të rinjtë e Empolit”, shkruan GDS për talentin shqiptar. E përditshmja italiane vazhdon edhe më tej:
“Asllani është një lojtar modern, i cili vrapon pafund dhe ka kualitet. Ndër karakteristikat e tij kryesore janë aftësia për të vertikalizuar dhe për të gjetur direkt sulmuesin. Kjo është pikërisht ajo për të cilën ka nevojë Lukaku për të shkëlqyer, për t’u rinisur në fushë të hapur dhe për të sulmuar thellësinë me potencën e tij fizike”.