Ish futbollisti i FC Shkupit, i cili së fundmi ishte pjesë e skuadrës hungareze të Gyirmot, karrierën e tij ka vendosur ta vazhdojë në Shqipëri, te skuadra e Partizanit, njofton “infOSport.mk”.
Edhe pse nuk e pëlqente kampionatin shqiptarë, Cvetanoski vendosi që ti thotë “PO” Partizanit, te e cila skuadër vjen me rekomandim të trajnerit Dritan Mehmeti.
Cvetanoski te FC Shkupi qëndroi për një vit, duke regjistruar 32 ndeshje 7 gola dhe 7 asistime. Megjithatë aventura e tij e ardhshme në Hungari te skuadra e Gyirmot nuk doli të jetë aspak pozitive, pasi i njëti u detyrua ta ndërpresë atë vetëm pas disa muajve, duke regjistruar në këtë mënyrë vetëm 10 paraqitje dhe asnjë gol të shënuar.
Ndryshe 24-vjeçari, i cili në kampionatin tonë vendor ka luajtur edhe me Pelisterin, Makedonija GJ.P dhe Vardarin, në Ligën e Parë, numëron gjithsej 152 ndeshje, 21 gola dhe 24 asistime. Cvetanoski do ti bashkohet menjëherë skuadrës së Partizanit në Slloveni, aty ku po zhvillon fazën e përgatitjeve në prag të ndeshjeve europiane. (infOSport.mk)