Struga Trim Lum edhe zyrtarisht ka bërë për vete sulmuesin Besart Ibraimi. Bëhet fjalë për golashënuesin më të mirë të të gjitha kohërave në futbollin vendor, i cili gjatë verës do të vazhdoj të tund rrjetat kundërshtare, mirëpo këtë herë me fanellën më të bukur, atë të Struga Trim Lum.
“Jam vendosur për Struga Trim Lum, pasi vërtetë bëhet fjalë për një klub shumë serioz, të cilët mundohen për çdo ditë të rriten dhe të arrijnë majat e futbollit vendor. Falënderoj drejtuesit e klubit për besimin e dhënë, ndërsa unë si Besart, ju premtoj se do jap maksimumin, gjithashtu publikut strugan i premtoj gola përmes të cilëve do arrijmë deri te garat europiane, por kuptohet edhe për të arritur objektivat e klubit” – tha në prononcimin e tij të parë si pjesë e Struga Trim Lum, Besart Ibraimi, i cili së fundmi ishte pjesë e skuadrës greke të Ksantit.
Ndryshe gjatë karrierës së tij, Ibraimi ka luajtur edhe me Vëllazërimin, Napredokun, Renovën dhe Shkëndijën në futbollin tonë vendor, ndërsa jashtë kufijve tanë përveç me grekët e Ksantit, kishte luajtur edhe me skuadra mjaft të njohura, si Shalke 04 (Gjermani), Sevastpol, Tavriya, Metalurg Zaporozhje (Ukrainë), EN Paralimniou, Ermis Aradippou (Qipro).