Besart Ibraimi në sezonin e ri me shumë gjasa do të luaj me Struga Trim Lum, skuadër kjo që në këtë mënyrë shpreh haptaz ambiciet e larta për edicionin 2022/2023.
Informacione të besueshme pranë “infOSport.mk” bëjnë me dije se Ibraimi dhe drejtuesit e Struga Trim Lum kanë arritur marrëveshje në parim dhe se e njëjta pritet që të zyrtarizohet ditëve në vijim.
Me Ibraimin në sulm, Struga Trim Lum ka përfituar në cilësi, por edhe në përvojë, gjë kjo që i kishte munguar kësaj skuadre viteve të kaluara.
Ibraimi ishte në bisedime e sipër edhe me Partizanin e Tiranës si dhe dy skuadrat tjera shqiptare nga vendi, FC Shkupin dhe Shkëndijën, mirëpo drejtuesit e Struga Trim Lum me sinqeritetin e tyre si duket i kanë marrë zemrën bomberit kërçovar, i cili pritet që të thellojë edhe më shumë statistikat e tij, kur janë në pyetje golat e shënuar në Ligën e Parë.
Kujtojmë, Ibraimi është aktualisht golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave në futbollin elitar të Maqedonisë, por njëkohësisht edhe golashënuesi më i mirë në historinë e Shkëndijës. Mbetet të shihet nëse i njëjti do të bëjë një gjë të tillë edhe me Struga Trim Lum….!?