Mesfushori i kombëtares shqiptare, Kristjan Asllani, me shumë gjasa do të zgjedhë Interin para Milanit dhe ekipeve të tjera për të vijuar karrierën e tij, që është në ngritje e sipër.
Asllani ka gjetur akordin personal me drejtuesit “zikaltër”, që tashmë kanë nisur punën për të gjetur akordin me klubin aktual të futbollistit shqiptarë, Empoli.
Asllani, aktualisht është i grumbulluar me Kombëtaren e Shqipërisë dhe po përgatitet për të ndihmuar kuqezinjtë në takimin kundër Izraelit, që në program është sonte.
Megjithatë, kjo gjë nuk e ka penguar mesfushorin shqiptar që të punoj edhe në drejtim të ekipit të tij të ri, e që as më pak e as më shumë, është skuadra nënkampione e Italisë dhe fituesja aktuale e Kupës së Italisë.
Edhe presidenti i Empolit pranoi disa ditë më parë se është thuajse e pamundur për të mbajtur Asllanin në ekip, pasi kur vijnë oferta nga ekipe të mëdha, lojtarët kërkojnë menjëherë largimin.
Me shumë gjasa, mesfushori i Shqipërisë do të veshë fanellën e Interit sezonin e ardhshëm.