Zaharievski edhe një vit tjetër te Struga Trim Lum!

Srgjan Zaharievski do të vazhdojë bashkëpunimin me Struga Trim Lum të paktën edhe për një vit tjetër. Kështu thonë burime pranë “infOSport.mk”. Me Zaharievskin si kryetrajner ekipi strugan arriti të shkruajë historinë vitin e kaluar, kur për herë të parë luajti në ndeshjet e UEFA Ligës së Konferencës, ndërsa edicionin që lamë pas Struga Trim Lum e përfundoi në pozitën e 6-të, ndërsa gjithashtu luajti edhe në gjysmëfinale të Kupës, ku u eliminua përmes penaltive nga ekipi fitues në fund i Makedonija Gj.P.

48-vjeçari Zaharievski timonin e Struga Trim Lum e morri me 12 mars të vitit 2020, teksa këtë skuadër e ka udhëhequr në plotë 68 ndeshje, ku ka regjistruar 27 fitore, 24 barazime dhe 17 disfata, me një gol-averazh 74:62.

Ndryshe gjatë karrierës së tij si trajner, Zaharievski ka udhëhequr edhe Pelisterin dhe Metalurgun, ndërsa së fundmi si opcion i mundshëm përmendej edhe skuadra e Rabotniçkit. (infOSport.mk)

Leave a Reply