Real Madridi i madh sërish në krye të futbollit europian! (VIDEO)

Real Madridi i Madh ka fituar edhe titullin e 14-të në kuadër të Ligës së Kampionëve, duke mundur në finalen e Parisit, ekipin e Liverpullit me rezultatin minimal 1:0, njofton “infOSport.mk”.

Golin e vetëm për “mbretërit” e Europës e realizoi Vnicius Zhunior në minutën e 59-të, kur mjaft mirë shfrytëzoi një pasim të Valverde.

Në këtë mënyrë skuadra nga Bernabeu vazhdon të mbetet rekordmene kur është në pyetje liga më prestigjioze europiane.

Edhe pse ndoshta nuk e meritoi nga ajo që tregoi sonte përballë Liverpullit, megjithatë skuadra e Ançelotit mund të themi me plotë gojë se e ka merituar titullin e sivjetëm, nga rrugëtimi i tyre i vështirë, duke filluar që nga faza e grupeve, por edhe më pastaj me eliminimin e kampionëve tashmë të vitit të kaluar, Çelzit, Paris Sen Zhermenit dhe Mançester Sitit.

Mbi të gjitha Reali këtë trofe e meritoi edhe falë paraqitjeve mbresëlënëse të Karim Benzema gjatë gjithë sezonit, si dhe super paraqitjes së portierit Kurtua, i cili thjesht ishte i pamposhtur sonte, në veçanti përballë Mohamed Sallah, ndaj të cilit gardiani belg doli fitues në 4-5 raste. (infOSport.mk)

Leave a Reply