Më në fund, Tiemue Bakajoko edhe zyrtarisht do të veshë fanellën e Çelzit. Futbollisti i Monakos fillimisht u mendua se nuk do të mund të jetë pjesë e kampionëve të Anglisë, mirëpo pasi doli të jetë gjithçka në rregull, numri një i londinezëve, Roman Abramoviç, dha dritën jeshile për transferimin e mesfushorit, për shërbimet e të cilit Çelzi do të paguaj 40 milion sterlina.
Bakajoko me skuadrën nga “Stemford Brixh” ka nënshkruar kontratë 5-vjeçare, ndërsa te Çelzi do të bartë fanellën me numër 14-të.
“Jam shumë i lumtur që jam këtu dhe që do i bashkohem një skuadre kaq të madhe. Jam ritur duke ndjekur ndeshjet e Çelzit. Të nënshkruaja me këtë skuadër, ishte dëshira ime më e madhe, pasi vërtetë e dua këtë klub” – tha Bakajoko.
Pritet që ai të bëhet partner i N’Golo Kante në mesfushën e Çelzit. Trajneri Antonio Konte duhet të jetë i kënaqur që ky transferim u finalizua para se skuadra të niset për në Azi, atje ku do të zhvillojë një pjesë të përgatitjeve për sezonin e ri futbollistik.