Valon Behrami i ka dhënë fund karrierës së tij si futbollist aktiv në moshën 37-vjeçare.
Interesant është fakti, se lajmin për pensionimin e tij e ka dhënë bashkëlojtari i tij te Bresha, Flavio Bianki. Sipas Biankit, futbollisti me prejardhje shqiptare i dha fund karrierës së tij në heshtje.
“Sot do të doja t’i bëja homazhe Behramit, i cili të dielën i dha fund futbollit të luajtur. Një lamtumirë e heshtur, pa e vënë re askush. Dua të të falënderoj për personin që je, më ke ndihmuar gjithmonë aq shumë, si në fushë, ashtu edhe jashtë, kur bëhet fjalë për sjelljen dhe për mentalitetin. Nuk dua të shkoj shumë larg, dua thjesht të të them faleminderit, edhe pse fatkeqësisht nuk ke arritur ta bësh në fushë ashtu siç dëshiroje, dua të të bëj homazhe këtu. Faleminderit për gjithçka Valon. Ka qenë kënaqësi të luaj me një lojtar dhe me një person si ti, edhe pse për pak. Paq fat, miku im”,ka shkruar Bianki në Instagram.
Valon Behrami në karrierën e tij kishte luajtur për shumë skuadra të njohura evropiane.
I rritur në Zvicër, Behrami bëri karrierë mbi të gjitha në Itali, ku luajti për ekipet si Xhenoa, Verona, Lacio, Fiorentina, Napoli, Udinese dhe Bresha.
Ndërkohë, ka luajtur në Zvicër me ekipet Lugano e Sion, por edhe në Angli me Uest Ham Junajtedin dhe Uatfordin, dhe në Gjermani me Hamburgun.