Makedonija GJ.P nën drejtimin e Muharem Bajramit ndryshoi krejtësisht pamje, duke u shndërruar në një skuadër vrastare për kundërshtarët, sidomos në kuadër të Kupës, aty ku arriti të eliminojë dy skuadrat e para në renditje, FC Shkupin dhe Akademia Pandev, si dhe në gjysmëfinale skuadrën e fuqishme të Struga Trim Lum. Pikërisht përmes Kupës, Makedonija GJ.P dhe Bajrami shohin mundësinë për të kapur Europën, pasi në kampionat u ndalën vetëm në pozitën e katërt.
Bajrami e ka fituar këtë trofe si lojtar, edhe atë me dy skuadra të ndryshme, fillimisht Slloga Jugomagnatin, aktualisht FC Shkupin dhe më pas edhe me Renovën. Edhe pse e pranon që do ta ketë të vështirë, ai thotë se do të dëshironte edhe më shumë që këtë trofe ta ngrinte lartë edhe si trajner.
“Si futbollist kam luajtur dhe e kam fituar këtë trofe me Renovën dhe Sllogën tani FC Shkupin. Dhashtë Zoti që edhe si trajner në sezonin e parë ta fitoj kupën, pasi mendoj se është një emocion edhe më i veçantë në këtë rol. Mendoj se pesha është me rëndë si trajner”, tha Muharrem Bajrami në Konferencën për shtyp të organizuar para ndeshjes finales, që në program është nesër me fillim në ora 18:00 në arenën “Todor Proeski”.
Për Makedonija GJ.P do të jetë kjo finalja e katërt në të cilën do të kërkojë trofeun e dytë, pas atij në vitin 2006, kur në finalen e madhe kishin mundur Shkëndijën me rezultatin 3:2. (infOSport.mk)