Xherdan Shaqiri nuk e ka nisur siç shpresonte karrierën e tij në MLS, pasi skuadra e tij, Çikago Fajër, gjendet në vendin e fundit në Konferencën e Lindjes.
Por gjithsesi, ai mund të jetë më se i kënaqur sa i përket trajtimit financiar, pasi është zbuluar se është futbollisti më i paguar në historinë e MLS-së, duke thyer edhe rekordin e Zlatan Ibrahimoviçit.
Ky i fundit, vendosi rekord te LA Galaksi kur u pagua 7,2 milionë dollarë në vit tri edicione më parë.
Ndërkohë MLS këtë javë ka bërë publike rrogat e futbollistëve për sezonin 2022 dhe rezulton se tashmë Shaqiri përfiton 7,35 milionë dollarë si rrogë, plus një bonus firme prej 800 mijë dollarësh.
Me pak fjalë, një total prej 8,15 milionë dollarësh që shkatërron rekordin e vjetër të Ibrahimoviç si dhe lë nën hije emra aktual si Çiçarito Hernandez (6 milionë dollarë) apo Gonzalo Higuain (5,79 milionë dollarë).
Megjithatë, ky rekord do të rezistojë deri në korrik, pasi pastaj në MLS do të zbarkojë Lorenco Insinje. Ylli italian do të thyejë rekordin me lehtësi, pasi përllogaritet që rroga e tij vjetore në Toronto FC do të jetë 12,5 milionë dollarë.