Penaltitë i siguruan trofeun e dytë europian Frankfurtit, Ramzi tradhëtoi Renxhersin (VIDEO)

Për herë të parë pas vitit 1997, ndodh që një skuadër tjetër gjermane, përveç Bajernit të Munihut të fitoj një trofe europian. Është skuadra e Ajntrahtit të Frankfurtit që triumfoi në finalen e Liga Europa, pasi sonte në “Ramon Sançez Pizhuan” në Seviljë, mundi Gllazgou Renxhersin pas ekzekutimit të penaltive, me rezultatin e përgjithshëm 6:5, njofton “infOSport.mk”.

Ndryshe ndeshja në kohën e rregullt u mbyll me shifrat 1:1, ndërsa ky rezultat figuronte në semaforë, edhe pas 120 minutave lojë, me ç’rast penaltitë duheshe të vendosin fituesin e këtij edicioni në kuadër të kompeticionit të dytë më të rëndësishëm europian në nivel klubesh.

Pjesa e parë u mbyll me rrjeta të paprekura, ndërsa të parët që avansuan në këtë ndeshje, ishin skocezët, kur falë golit të Aribo në minutën e 57-të avansuan ndaj gjermanëve të Ajntraht Frankfurtit.

Këta të fundit u kundërpërgigjën në minutën e 69-të, kur kolumbiani Rafael Borre nga brendia e zonës shënoi në rrjetën e McGregor për barazim të shifrave në 1:1.

Ruleti i penaltive doli të jetë i kobshëm për ekipin skocez, më saktësisht për Aron Ramzi, i cili humbi penaltinë e vetme në këtë ndeshje, në kuadër të serisë së katërt, që më pas në serinë e fundit, kolumbiani Borre, që kishte shënuar në kohën e rregullt,  të shënojë edhe golin vendimtarë, për festë në mesin e skuadrës gjermane, që ndoshta edhe e meritoi një gjë të tillë, nga gjithë ajo që kishin treguar në fushën e blertë sonte, por edhe gjatë gjithë këtij kompeticioni, ku ishin të pamposhtur në plotë 13 ndeshje.

Ndryshe ishte ky trofeu i dytë për Ajntrahtin në garat europiane, pas atij në vitin 1980 në kuadër të Kupës së UEFA-s, ndërsa pavarësisht se sezonin aktual në Bundesligë e mbylli në pozitën e 11-të, kjo skuadër edicionin e ardhshëm do të luaj në Ligën e Kampionëve. (infOSport.mk)

Leave a Reply