Ndryshimi i stadiumit ku do të zhvillohet ndeshja e balotazhit midis Tikveshit dhe Voska Sport ishte top tema e lajmeve sportive në vendin tonë. Fillimisht kjo ndeshje u vendos të zhvillohet në Prilep, mirëpo më pas e njëjta u vendos që të zhvillohet në arenën “Todor Proeski”, një ndër stadiumet më të mira jo vetëm në vendin tonë, por edhe më gjërë në rajon.
Mirëpo për çudi, drejtuesit e Tikveshit reaguan shumë shpejt, duke kërkuar që të mos ketë ndryshim dhe e njëjta të zhvillohet në Prilep, pavarësisht se i njëjti nuk i plotëson kushtet, si ai në Shkup.
Një gjë e tillë ka habitur edhe kapitenin e Voska Sport, Izair Eminin, i cili përveç pritjeve nga kjo ndeshje, foli edhe lidhur me çështjen e zhvillimit të ndeshjes në Prilep, apo në Shkup.
“Për sa i përket kundërshtarit, ne e kemi ditur që cila do skuadër të na bie në short do të jetë ky një duel i fortë. Gjithsesi goglat deshën që për kundërshtarë të kemi Tikveshin, ndaj si çdo kundërshtari, do përgatitemi maksimalisht për të dhënë më të mirën nga vetja dhe shpresoj të kemi edhe fatin me vete dhe në fund cila skuadër të jetë më e mirë le të sigurojë pjesëmarrjen në Ligën e Parë. Futbolli luhet në terren, pavarësisht se ku do luajmë, qoftë në Prilep apo Shkup. Sinqerisht nuk e kam të qartë pse gjithë këto ankesa nga ana e kundërshtarit për mos tu zhvilluar ndeshja në stadiumin më të mirë që posedon vendi ynë. Arena “Todor Proeski” plotëson të gjitha kushtet si për neve futbollistët, ashtu edhe për tifozët e ekipeve tona, ndaj mendoj se janë të kota gjithë këto reagime nga ana e drejtuesve të Tikveshit, të cilët edhe vitin e kaluar ndeshjen e balotazhit kundër Sileksit e kishin zhvilluar po në Shkup. Nëse një gjë e tillë nuk ju ka penguar vitin e kaluar, pse të ju pengoj këtë herë?” – është shprehur kapiteni Izair Emini për faqen zyrtare të klubit.
Ndeshja midis Tikveshit dhe Voska Sportit në program është me datë 22 maj, dhe e njëjta do të zhvillohet me fillim në ora 17:00. Kujtojmë Tikveshi përfundoi në pozitën e 10-të gjatë sezonit që sapo lamë pas në Ligën e Parë, ndërsa Voska Sport e mbylli sezonin në pozitën e dytë në Ligën e Dytë – Perëndim. (infOSport.mk)