Xhengis Rexhepi me shumë sukses mbylli aventurën e tij me Besën e Dobërdollit. Nën drejtimin e tij kjo skuadër nga një pretendente për rënie nga kategoria e dytë, në fund dy xhiro para fundit të sezonit i’a arriti qëllimit që të sigurojë mbijetesën, shkruan “infOSport.mk”.
Besa e Dobërdollit stinorin vjeshtorë e kishte mbyllur vetëm në pozitën e parafundit me 13 pikë të tubuara në 15 ndeshje, ndërsa në 12 ndeshjet e stinorit pranveror, me Rexhepin në krye, skuadra nga Dobërdolli tuboi plotë 22 pikë, duke u renditur në fund në pozitën e 6-të me gjithsej 35 pikë.
“Një gjysëm sezon shumë i sukseshëm për mua dhe stafin tekinik, arritëm që skuadrën gati të larguar nga kategoria t’ia sigurojmë mbijetesën dy xhiro para përfundimit të sezonit. Nuk është e lehtë të udhëhiqet një skuadër ku para vetes ka vetëm ndeshje finale, por me angazhimin e gjithë futbollistëve, donatorëve, drejtueseve të klubit bashkë me qytetarët e Dobërdollit, arritëm që skuadrës së tyre të zemrës, Besës ti sigurojmë edhe një sezon tjetër në Ligën e Dytë. Shfrytëzojë rastin të falënderojë edhe pronarët e klubit, Muhamed Tahiri-Haxhiun, Ziajdin Tahirin, Elham Tahirin dhe drejtuesit e klubit, Ferit Kadriji dhe Bujar Kadriji për korektësinë që e kishin gjatë gjithë kësaj periudhe” – u shpreh enkas për “infOSport.mk”, trajneri Xhengis Rexhepi, i cili foli edhe për të ardhmen e tij dhe përfundimin e kontratës me Besën e Dobërdollit.
“Para tre jave kemi pasur bisedë me Kryetarin e Klubit, Ziajdin Tahiri, ku kemi biseduar për të ardhmen. Unë para tij shpalosa idetë e mia dhe se kam vizion tjetër rreth karrierës time për të ardhmen” – vijoi Rexhepi, i cili KF Besës së Dobërdollit i dëshiron shumë suksese në sezonin e ri, kur do garojnë në një ligë të vetme të dytë të përbërë nga 16 skuadra.
Në adresë të Rexhepit kanë arritur disa oferta si nga vendi, ashtu edhe nga Kosova, edhe pse i njëjti nuk përjashton një rikthim të tij edhe në futbollin turk, ku vite më parë luante rolin e ndihmës trajnerit të Tamer Tuna te skuadra e Sivaspor. (infOSport.mk)