Bunjamin Shabani pa dyshim se është një ndër futbollistët më të mirë të kampionatit vendor. Ai këtë edicion me Struga Trim Lum po bënë shumë mirë, duke u shndërruar në një lider të vërtetë të kësaj skuadre, me të cilën sot do të tentojë të shkruajë një histori të re, kualifikimin në finalen e madhe të Kupës.
Një gjë të tillë, kumanovari kishte bërë edhe gjatë vitit 2013-të me Shkëndijën e Tetovës, mirëpo një dëmtim i kishte pamundësuar atij që të paraqitej në finalen e madhe ndaj Teteksit.
“Nëse arrijmë të eliminojmë Makedonija GJ.P për mua do të ishte finalja e dytë në karrierë që do e arrija. Herën e parë një gjë të tillë bëra me Shkëndijën, mirëpo isha i pafat, pasi u lëndova vetëm disa ditë para finales së madhe ndaj Teteksit. Këtë herë shpresoj gjërat të shkojnë ndryshe dhe të më buzëqesh fati dyfish. Fillimisht sot me Struga Trim Lum të prekim finalen e madhe, dhe më pas të luaj në atë dhe ta fitojmë të njëjtën pavarësisht se ndaj cilës skuadër do të luanim” – u shpreh për “infOSport.mk”, Bunjamin Shabani.
Kujtojmë në gjysmëfinalen tjetër do të takohen Pelisteri dhe Sileksi. Që të dyja ndeshjet zhvillohen sot dhe do të startojnë në ora 16:00. (infOSport.mk)