Ishte shumë afër për të vazhduar rrugëtimin drejt mbrojtjes së titullit kampion në Europë, mirëpo në fund Çelzi i Tushel u eliminua nga “mbretërit” e Europës, Real Madridi, skuadër kjo që deri në minutën e 80-të ishte në disavnatazh prej 3:0, rezultat ky që në ato momente dërgonte skuadrën angleze në gjysmëfinale, shkruan “infOSport.mk”.
Megjithatë një gol i shënuar nga Rodrygo 10 minuta para fundit të kohës së rregullt ktheu në lojë Realin e Madridit, që në ato momente arriti që të sigurojë edhe një 30 minutësh tjetër, dy herë nga 15 minuta, e ku sërish ishin”madrilenët” që buzëqeshën, pasi një gol tjetër i Karim Benzemas u siguroi atyre kualifikimin për në gjysmëfinale të Ligës së Kampionëve.
Ndryshe një gol i shënuar nga Mason Mount në minutën e 15-të bëri që Çelzi të avansojë, derisa goli i mbrojtësit Antonio Rudiger pas 7 minutave lojë në pjesën e dytë, bëri që në ato momente rezultati të ishte i barabartë, bazuar edhe në ndeshjen e parë në “Stemford Brixh”, kur Reali kishte shënuar fitore me rezultatin 3:1. Timo Verner me golin e shënuar në minutën e 75-të, bëri që Çelzi në ato momente të besonte te kualifikimi, mirëpo Rodrygo shuajti shpresat e tyre gjatë 90-të minutëshit të rregullt, që më pas Karim Benzema me golin e realizuar në minutën e 96-të të ju jap goditjen përfundimtare, duke i siguruar Realit të Madridit një vend për në gjysmëfinale me rezultatin e përgjithshëm 5:4.
Reali i Madridit në gjysmëfinale do të pret fituesin nga përballja Mançester Siti – Atletiko Madrid, skuadër kjo që nesër mbrëma do të tentojë të anulojë epërsinë 1:0 të “pasanikëve” nga Mançesteri nga ndeshja e parë e zhvilluar në Angli. (infOSport.mk)