Trajneri i Shkëndijës, Qatip Osmani po vazhdon shkëlqimin në krye të skuadrës tetovare. Strategu “kuq e zi” realizoi edhe fitoren e tretë nga po aq ndeshje në kuadër të ndeshjeve në Liga Evropa, përfshirë edhe fitoren ndaj Helsinkit.
Skuadra e Shkëndijës shënoi fitore me rezultatin 3:1 në ndeshjen e parë të zhvilluar në Strumicë, ndërsa pas përfundimit të saj, Osmani u shpreh i kënaqur për fitoren, mirëpo njëkohësisht edhe shumë i rezervuar, duke potencuar se udhëtuesi për në raundin e tretë do të vendoset vetëm pas zhvillimit të ndeshjes së kthimit.
“Jam i lumtur me fitoren por njëkohësisht edhe i zhgënjyer që pranuam një gol naiv. Nëse shohim rastet që krijuam, neve merituam fitore më të thellë. Uroj futbollistët e mi për mënyrën se si e luajtën këtë ndeshje, për dëshirën, motivin dhe karakterin që e treguan edhe pas disavantazhit që kishim. Edhe përkundër kësaj fitore, ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm, pasi asgjë nuk ka përfunduar. Në ndeshjen e kthimit duhet të luajmë edhe më mirë, për të arritur qëllimin, kualifikimin në raundin tjetër” – tha në konferencën për shtyp trajneri i Shkëndijës, Qatip Osmani.
Nesër në mesditë, Shkëndija do të mësojë edhe emrin e kundërshtarit të raundit të tretë, gjithnjë nëse arrinë kualifikimin, edhe atë vetëm pas zhvillimit të ndeshjes së kthimit ndaj Helsinkit, që në program është një javë më pas.