Derbi i madh i javës së 27-të në Superligën e Kosovës midis Gjilanit dhe Ballkanit përfundoi në mënyrën më të keqe të mundshme, me një sulm ndaj portierit të mysafirëve, Stivi Frashëri, shkruan “infOSport.mk”.
Ky i fundit vetëm disa sekonda pasi ishte mposhtur nga kolegu i tij, Enea Koliçi, nga mbrapa ishte sulmuar nga dy tifoz të pandërgjegjshëm të Gjilanit, skuadër kjo që fill në minutën e 95-të kishte barazuar rezultatin.
Ndryshe që në sekondat e para të ndeshjes, Ermal Krasniqi e kaloi Ballkanin në epërsi. Më pas, ndeshja nuk pati gola deri në sekondat e fundit, kur edhe ndodhi një situatë e paprecedentë.
Nga një goditje këndi, golin e barazimit e gjeti portieri, Enea Koliçi që ngriti stadiumin peshë. Pas golit, tifozët e Gjilanit u futën në fushë dhe sulmuan portierin e Ballkanit, Stivi Frashëri, i cili me ndihmën e ambulancës u dërgua në spitalin e qytetit të Gjilanit.
Tashmë për epilogun përfundimtarë të këtij takimi duhet të vendos Federata e Futbollit të Kosovës, që me shumë gjasa do të dënojë skuadrën vendase, e cila do e humbas ndeshjen në tavolinë, pavarësisht barazimit të arritur.
Kujtojmë, Ballkani mban vendin e parë me 54 pikë, duke mos llogaritur takimin e sotëm ndaj Gjilanit, skuadër kjo që bashkë me Dritën kanë nga 49 pikë.
Skuadra e Ardian Nuhiut gjatë ditës së djeshme kishte mundur Ulpianën 3:2, ndërkohë në takimin tjetër të ditës së sotme, Drenica demoloi Feronikelin, duke e mundur me shifrat 6:0. (infOSport.mk)