Struga Trim Lum me 3 gola ndaj Rabotniçkit në Shkup ndërpreu serinë prej 3 ndeshjeve pa fitore (VIDEO)

Struga Trim Lum ka regjistruar një fitore të madhe 3:1 në udhëtim në Shkup ndaj Rabotniçkit, duke ndërprerë kështu serinë prej 3 ndeshjeve pa fitore, njofton “infOSport.mk”.

Fitoren e 8-të për skuadrën strugane këtë edicion e paralajmëroi Abdylhadi Jahja, që në minutën e 13-të, kur mjaft mirë u shërbye nga Bunjamin Shabani.

Ky i fundit vetëm pas 4 minutave lojë në pjesën e dytë, përmes penaltisë shënoi edhe golin e dytë në rrjetën e vendasve, të cilët u kundërpërgjigjen në minutën e 61-të, kur shënuan golin e vetëm të këtij takimi.

Edhe përkundër këtij goli të pësuar skuadra e Sruga Trim Lum nuk ra psiqikisht, përkundrazi në minutat e mbetura luajti edhe më mirë, duke krijuar disa raste konkrete përmes dyshes Maleski – Jahja.

Në minutën e 63-të, Maleski mjaft mirë u shërbye nga Bunjamin Shabani, duke dalë i vetëm para portierit kundërshtarë, i cili në ato momente devijoi topin në rivënie nga këndi, pas së cilës u kanos edhe Jahja, mirëpo portieri i “romantikëve”, Burhan Mustafa edhe njëherë tjetër ishte në vendin e duhur.

Në minutën e 77-të pas një slalomi të vërtetë të Bunjamin Shabanit, ky i fundit për mrrekulli asistoi për Abdylhadi Jahjën, i cili nuk ishte i saktë, duke goditur vetëm mbi portë.

Një top i vjedhur nga Xhobe premtoi shumë në minutën e 79-të, mirëpo pa patur ndonjë sukses, ndërsa në minutën e 81-të, Abdylhadi Jahja mjaft mirë shërbeu para 5-metërshit të portierit kundërshtarë sulmuesin Pa Omar Xhobe, i cili nuk fali dhe me kokë shënoi golin e tretë në rrjetën e Rabotniçkit.

Ishte ky goli i fundit i këtij takimi, me të cilin Struga Trim Lum rrumbullaksoi fitoren 3:1 në Shkup ndaj rivalit të drejtëpërdrejtë, Rabotniçkit.

Me fitoren e sotme, skuadra e Struga Trim Lum numëron 33 pikë, duke u renditur në pozitën e 7-të, ndërkohë Rabotniçki me 31 pikë mbetet një pozitë më poshtë. (infOSport.mk)

Leave a Reply