Përfaqësuesja e Maqedonisë të enjten mbrëma ka mësuar kundërshtarët e kualifikimeve për “Euro 2024” në hendboll. Maqedonia do të garojë në grupin e parë, ku bëjnë pjesë edhe Portugalia, Turqia dhe Luksemburgu.
Dy ekipet e para në grup do të sigurojnë një vend për në Europianin e pas dy viteve, ndërsa gjithashtu do të kualifikohen edhe katër prej tetë Kombëtareve më të mira të vendit të tretë.
Në një gjë të tillë shpreson edhe përfaqësuesja e Kosovës, që bënë pjesë në grupin e 7-të, bashkë me kombëtaret ballkanase, Slloveninë, Malin e Zi dhe Bosnje e Hercegovinën.
Ndeshjet e para luhen në tetor, më 12/13 dhe 15/16. Më pas do të zhvillohen ndeshje në mars të vitit të ardhshëm dhe në prill.
Evropiani i ardhshëm në hendboll mbahet në Gjermani prej 10 deri më 28 janar 2024. Kualifikimin e drejtëpërdrejtë në këtë europian e kanë siguruar nikoqirët e Gjermanisë, Suedia, Spanja dhe Danimarka.