Gjatë ditës së sotme është duke u zhvilluar Kongresi i FIFA-s në Doha, aty ku po merrë pjesë edhe numri një i futbollit vendor, Muhamed Sejdini.
Në këtë Kongres, është votuar edhe sa i përket përjashtimit të tri Kombëtareve, asaj të Pakistanit, Zimbabves dhe Kenias. Që të tre këto kombëtare janë përjashtuar nga FIFA, pasi Qeveritë e këtyre vendeve kanë emëruar vetë një Komitet për drejtimin e Federatës së Futbollit.
Për këtë arsye, në lidhje me përzierjen e politikës në futboll, u mor vendimi drastik. Vlen të theksohet se mbledhja po vazhdon ende në kongresin e 72 të FIFA dhe çështja e pezullimeve ishte në rend dite dhe në pikën 4.
Përveç punimeve të Kongresit, krerët e Federatave do të marrin pjesë edhe në tërheqjen e shortit për fazën e grupeve të Kupës së Botës “Katari 2022”, i cili do të zhvillohet në muajt nëntor-dhjetor.
Por vallë vendimi i sotëm i FIFA-s a duhet të shërbejë si këmbanë alarmi për Shqipërinë? Muajin e fundit kemi dëgjuar shpesh nga media dhe portale pranë FSHF-së se Shqipëria mund të dënohet nga FIFA.
Arsyeja është ajo që ndodhi me zgjedhjet e fundit të FSHF-së ku pati një ndërhyrje të fortë të politikës, edhe pse Duka fitoi me rezultat të thellë, çështja ka përfunduar në gjykata.
Në fakt nuk është hera e parë që politika fut hundët në zgjedhjet e FSHF-së në Shqipëri, por thjeshtë urojmë të mos jenë të vërteta lajmet që qakrullojnë prej ditësh për një dënim të mundshëm edhe të Shqipërisë.