Portugalia e Bruno Fernandesh dhe jo e Kristiano Ronaldos i ka dhënë fund ëndërrës së madhe të Maqedonisë për kualifikim në Botërorin “Qatar 2022”, njofton “infOSport.mk”.
Portugalia shënoi fitore 2:0 sonte në “Dragao Stadium” të Portos, edhe atë duke iu falënderuar “dopietës” së Fernandesh, mesfushorit të Junajtedit, i cili në këtë mënyrë dërgoi “luzitanët” për në Botërorin e këtij viti që do të mbahet në Katar, ndërkohë Maqedoninë në shtëpi.
Pavarësisht disfatës, Maqedonia u paraqit denjësisht edhe sonte, mirëpo përballë kishin një Portugali shumë mirë të përgatitur me trajnerin Fernando Santosh, i cili si duket kishte marrë mësimin e duhur nga Italia e Roberto Mançinit, kur 5 ditë më parë në Palermo nuk kishte idenë se si të mposhte Maqedoninë e Milevskit.
Fernandesh golin e tij të parë në rrjetën e Dimitrievskit e realizoi në minutën e 32-të, ndërsa të dytin në minutën e 65-të, kur pas një kundërzbritje mjaft mirë pranoi një top në zonën tonë nga Diego Zhota dhe me të djathtën e tij shënoi edhe golin e dytë për Portugalinë, që në këtë mënyrë për herë të 8-të do të luaj në një Botëror.
Në anën tjetër Maqedonia do të pret rastin e saj për të debutuar në një Botëror. (infOSport.mk)