Është mbyllur me barazim pa gola miqësorja midis Shqipërisë dhe Gjeorgjisë, e zhvilluar në Tiranë, njofton “infOSport.mk”.
Kuqezinjtë e Edi Reja zhvilluan një ndeshje me ritëm të mirë në “Air Albania”, krijuan disa raste të rrezikshme, por goli nuk erdhi përballë një kundërshtari të fortë në prapavijë, që regjistroi rezultatin e pestë radhazi pozitiv.
Edi Reja bëri gjashtë ndryshime në formacion krahasuar me Spanjën.
Rey Manaj përkrah Armando Brojës në sulm, sfida e parë si titullar për Kristjan Asllanin, teksa e nisën nga minuta e parë Thomas Strakosha, Ylber Ramadani, Odise Roshi dhe Endri Çekiçi.
Ky i fundit pati mundësinë më të mirë në minutën e 38-të. Asist perfekt nga Berat Gjimshiti, mesfushori i Konyaspor shmangu bukur një mbrojtës kundërshtar, por gjuajtja pati potencë dhe jo saktësi.
Më parë tentuan edhe Broja, Asllani dhe Roshi për Shqipërinë, mirëpo pa efekt.
Reja në fillimin e pjesës së dytë la Brojën në dhomat e zhveshjes, duke inkuadruar në lojë Sokol Cikalleshin.
Minuta edhe për Xhiakomo Vrionin, por dy sulmuesit e inkuadruar si zëvendësues nuk ia dolën të kthejnë në gola shanset e tyre.
Në fund provoi edhe Asllani, por grushtoi portieri Mamardashvili.
Ekipi mik provoi reflekset e Strakoshës me një gjuajtje potente të Kvekveskiri në minutën e 72-të, që njëherit ishte edhe goditja më serioze në drejtim të portës “kuqezi”.
Shqipëria tentoi golin në minutat e mbetura, por një gjë e tillë nuk –ndodhi dhe takimi përfundoi në barazim 0-0. Ishte ky barazimi i katërt mes këtyre dy kombëtareve në ndeshjen e tyre të 14-të, ku Shqipëria numëron vetëm 3 fitore, derisa Gjeorgjia plotë 7. (infOSport.mk)