Italia dhe Turqia humbën rastin për të luajtur në finalen e madhe të “play-off” për kualifikim në Botërorin e Katarit, ashtu që këto dy kombëtare të martën do të ngushëllohen mes tyre në një ndeshje miqësore, shkruan “infOSport.mk”.
E njëjta do të zhvillohet në tokën turke, ndërsa do të drejtohet nga arbitri shqiptarë, Enea Jorgji.
Arbitri shqiptar që ka edhe stemën e FIFA-s vlerësohet kështu maksimalisht, duke iu besuar një 90 minutësh në nivel ndërkombëtar.
Kjo nuk është hera e parë që ai drejton ndeshje jashtë Shqipërisë, por kur bëhet fjalë për dy kombëtare si Italia dhe Turqia është vërtetë një arritje e madhe personale për të.
Në këtë sezon futbollistik, Enea Jorgji ka arbitruar në një ndeshje të “Conference League”, si dhe në 3 ndeshje të “Uefa Youth League”.
Gjithashtu, ai ka ndarë drejtësinë edhe në një ndeshje në kuadër të kualifikueseve të “Conference League.
Kujtojmë, Italia e Roberto Mançinit u mund nga Maqedonia në Palermo me rezultatin minimal 1:0, derisa Turqia në një lojë mjaft të mirë, në fund pësoi disfatë 3:1 përballë Portugalisë. (infOSport.mk)