“Fair Play Financiar”, duke filluar nga 1 korriku 2022, do të ndryshojë. Pavarësisht ndryshimeve, apo risive, kufiri i pagave, që njëkohësisht është mënyra e vetme për të balancuar llogaritë, mbetet ende një çështje e pazgjidhur për momentin.
Më mirë, nuk është gjetur akoma asnjë mënyrë për të rënë dakord të gjitha palët. Parametrat do të ndryshojnë rrënjësisht dhe do të bazohen në të ardhurat dhe kostot e klubit (skuadra, pagat, komisionet për agjentët) dhe kjo kosto nuk mund të kalojë 70% të të ardhurave totale.
Deri më tani, tejkalimi maksimal ishte 30 milionë dollarë, pavarësisht të ardhurave.
Gjithsesi, UEFA, për ta bërë më të lehtë implementimin e ndryshimeve dhe për të krijuar një lehtësi në kalimin nga rregullat e vjetra në ato të reja, për 3 sezonet e ardhshme, kostot mund të arrijnë deri në 90% të të ardhurave për çdo klub. Ndërkohë, për ato klube që nuk i kanë thyer më parë rregullat, mund të kenë një diferencë bonus prej afërsisht 10 milionë dollarë.
Nuk do të ndryshojnë vetëm rregullat, por edhe sanksionet. Natyrisht rruga më e lehtë do të jenë gjobat, ndërsa risi do të jetë, zbritja me një kompeticion, që do të jetë masa më e lartë e dënimit.
Për ta shpjeguar më thjeshtë, nëse një skuadër që ka siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve, do të marrë dënimin më të lartë, atëherë do të luajë në Liga Europa, e kështu me radhë, deri në Ligën e Konferencës.
Gjithashtu një vëmendje maksimale do të tregohet edhe për kontratat e klubeve me sponzorët, kjo pasi shpesh shumë klube në të kaluarën kanë “fryrë” të ardhurat e tyre me sponsorizime fiktive nga kompani të lidhura me klubin (rastet e PSZh-së dhe Mançester Sitit).
Jo më pak me rëndësi, gjithashtu edhe emri do të ndryshojë, “Fair Play Financiar” do të zëvendësohet nga Rregulloret e Qëndrueshmërisë Financiare.
Rregullat e reja pritet të miratohen më 7 prill, pas votimit nga Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s dhe do të hyjnë në fuqi më 1 korrik 2022.