Shkarkimi i Bernard Shalandes nga stoli i përfaqësueses së Kosovës nuk ka kaluar pa pasoja për arkat e Federatës të Futbollit të këtij vendi. “Dardanët” larguan teknikun zviceran në fund të edicionit të kaluar e bashkë me të shkarkuan edhe gjermanin Mikael Nes nga drejtimi i përfaqësueses U21 si pasojë e rezultateve të dobëta.
Këto dy largime institucionit të futbollit kosovar i sollën një goditje të rëndë financiare, pasi FFK ishte e detyruar që t’iu paguajë pjesën e mbetur të kontratës të dy trajnerëve, meqë marrëveshjet u prishën në mënyrë të njëanshme, siç ka zbuluar ish-sekretari i FFK-së, Eroll Salihu.
“Dëmshpërblimi për Shaland ka qenë 240 mijë euro, kurse për Mikael Nes 40 mijë euro. Rreth 300 mijë euro u humbën për 6-7 muaj”, janë fjalët e tij në “Kanal10”, duke zbuluar prapaskenat e shkarkimit të dy trajnerëve të huaj që udhëhoqën përfaqësuesen A dhe atë të shpresave të Kosovës.