Paulo Dybala ka vendosur të mos rinovojë me Juventusin, ashtu që në verë i njëjti do të largohej si futbollistë i lirë me parametra zero.
Ky ka qenë lajmi që ka pushtuar mediat italiane e jo vetëm, pasi argjentinasi është një nga emrat më të vlerësuar të viteve të fundit në Serie A.
Por një lajm edhe më i bujshëm vjen nga Argjentina, ku “TyC Sports” ka raportuar se që tani ai ka planifikuar bisedimet me atë që është skuadra e cila shihet në “pole position” për firmën e tij, Interi.
“Zikaltërit” prej kohësh mendohet se kanë nisur kontaktet me përfaqësues të lojtarit, duke ëndërruar firmën e tij me parametra zero në verë dhe tani mund ta bëjnë realitet një gjë të tillë, sapo ai të largohet nga Juventusi.
Media argjentinase ka bërë të ditur se Dybala ka planifikuar që së shpejti të ulet në tavolinën e bisedimeve me përfaqësues të Interit, ku sigurisht do të ketë kontakt direkt me atë që e afroi te Juventusi, Xhuzepe Marotën, i cili tashmë ëndërron ta veshë me fanellën “zikaltër”.
Pritet që Interi t’i bëjë një ofertë më të mirë ekonomike se ajo që i bëri Juventusi dhe që solli krisjen përfundimtare mes palëve.