FC Shkupi kthehet me fitore edhe nga Struga, titulli shumë pranë për tu rikthyer në Çair (VIDEO)

FC Shkupi ka regjistruar edhe një fitore tjetër në kampionat, duke besuar në këtë mënyrë edhe më shumë tek titulli kampion, njofton “infOSport.mk”. Skuadra nga Çairi mundi Struga Trim Lumin në udhëtim me shifrat 3:1, pavarësisht se në një moment e pa vetën në disavantazh.

Pra ishin vendasit e Struga Trim Lum që avansuan të parët në këtë përballje, falë eurogolit të Nemanja Bosançiç në minutën e 45-të.

Dhe kur u mendua se ekipi vendas në pushim mund të shkojë me epërsi minimale, ashtu nuk mendoi edhe golashënnuesi më i mirë i “pëllumbave” dhe njëherit i kampionatit, Sandej Adentunxhi, i cili në minutën e dytë shtesë të kohës së rregullt prej 45 minutash shënoi golin e barazimit.

Fredy Alvarez mjaft mirë harkoi brenda zonës së vendasve nga gjuajtja e lirë, ndërsa aty nuk fali shtatëlarti nigerian, i cili me kokë barazoi shifrat në 1:1.

Me të filluar pjesa e dytë, vendasit u kanosën rrezikshëm me anë të Koçoskit, mirëpo falë intervenimit bravuroz të Kristijan Naumovskit, rezultati mbeti i pandryshuar.

Deri te ndryshimi erdhi në minutën e 70-të, kur rezervisti Marjan Radeski shënoi edhe golin e dytë për FC Shkupin, duke kaluar në avantazh skuadrën shkupjane për herë të parë në këtë ndeshje.

Pas këtij goli si duket u shuan shpresat e vendasve se mund të nxjerrin ndonjë rezultat pozitiv, ndërsa kjo vërehej edhe nga dominimi i “bardhekaltërve” në fushë, që shumë shpejtë arrinin deri tek goli i Taleskit.

Danfa, një rezervistë tjetër ishte i pafat, kur pas një kundërsulmi goditi vetëm shtyllën, ndërsa i njëjti futbollistë pak minuta më vonë i servoi një top si në pjatë Omar Imerit, mirëpo gëzimin e këtij të fundit e ndali, mbrojtësi i Struga Trim Lum, Darko Ilieski, i cili nga vija e fundit pastroi rrezikun.

Megjithatë Imeri i’a arriti qëllimit që të shënojë golin e tij të parë me fanellën e FC Shkupit, pas rikthimit të tij te kjo skuadër, kur në minutën e 87-të, i papenguar nga askush dhe duke iu falënderuar Marjan Radeskit, qëlloi portën e zbrazët të Davor Taleskit.

E gjithë kjo ndodhi në minutën e 87-të, ashtu që deri në mbyllje të takimit nuk vërejtëm ndonjë gjë tjetër shtesë, me ç’rast FC Shkupi me plotë meritë në fund arriti deri tek 3 pikëshi, që e shtyejnë këtë skuadër me hapa të sigurtë drejt titullit kampion.

Pas 24 xhirove të kaluara, FC Shkupi numëron 58 pikë, 13 më shumë se vendi i dytë i Akademia Pandev dhe 14 më shumë se Shkëndija e vendit të tretë, me këto dy skuadra që kanë edhe nga një ndeshje më pak. (infOSport.mk)

 

Leave a Reply