Ish futbollisti i Rabotniçkit merr ftesë nga përfaqësuesja e Kosovës!

Ish-futbollisti i Shpresave të Shqipërisë dhe njëherit të skuadrës së Rabotniçkit, Emir Sahiti, do të jetë risia e përfaqësueses së Kosovës, në listën për ndeshjet e muajit mars.

Trajneri i ri i “Dardanëve”, Alain Girese, ka vendosur ta grumbullojë për herë të parë në përfaqësuese, 23-vjeçarin, që po shkëlqen te Hajduku i Splitit.

Lajmin e ka zbuluar vetë klubi kroat, përmes një postimi në faqen zyrtare në “Twitter”. “Emir Sahiti është ftuar për herë të parë nga Përfaqësuesja e Kosovës, që zhvillon dy miqësore në mars ”, shkroi klubi kroat.

Dëshira e Sahitit, fillimisht ishte që të përfaqësonte Kombëtaren A të Shqipërisë, por duke parë injorimin e vazhdueshëm të Edi Rejës, vendosi të kalonte te përfaqësuesja e Kosovës.

Sahiti ishte një nga lojtarët më të dalluar, te Shpresat kuqezi, teksa kishte 2 vite që priste ftesën nga Kombëtarja A. Me fanellën e U-21 Sahiti regjistroi 11 ndeshje, ku shënoi edhe 2 gola.Duke qenë se Reja nuk i dha asnjë shans dhe nuk kishte ndërmend ta bënte, Sahiti zgjodhi të luajë me Kosovën dhe tani grumbullohet që në takimin e parë me trajnerin e ri.

Kujtojmë Emir Sahiti për 3 vite të plota (2015-2018) luajti me ekipin e Rabotniçkit, teksa kishte debutuar edhe me ekipin e parë nga Shkupi në moshë shumë të re, për tu transferuar më pas si 20-vjeçar te gjigandët kroat të Hajduk Split.

Këtë edicion me fanellën e skuadrës dalmatike, Emir Sahiti ka regjistruar 30 ndeshje dhe 6 gola të shënuar, 4 prej të cilëve në kampionat. (infOSport.mk)

Leave a Reply