Dita e fundit e afatit kur delegatët duhet të dorëzojnë 15 nënshkrime për të qenë kandidat për president të Federatës së Futbollit të Kosovës, po afrohet.
E mërkura ora 16:00 shihet si afati i fundit kur dorëzohen nënshkrimet, derisa në garën për të parin e futbollit kosovar ishin lakuar tre emra, ai i Agim Ademit, presidentit aktual, Arjanit Ahmetit dhe Remzi Ejupit.
Mirëpo ky i fundit tashmë edhe zyrtarisht ka hequr dorë nga gara për të parin e futbollit në Kosovë.
Ejupi në një bisedë për “Demokracia” ka thënë se nuk mund të jetë pjesë e një Kuvendi siç e quan ai jo legjitim.
“Jo nuk do të marrë pjesë në këtë kuvend për arsye se është jo legjitim dhe sigurisht që unë nuk dua të jem pjesë e një kuvendi jo legjitim”, ka thënë fillimisht Ejupi i cili ka konfirmuar se ai po punon dhe beson se kuvendi i rregullt do të mbahet me 6 korrik.
“Unë po punojë për kuvendin e rregullt që mbahet me 6 korrik. Pra nëse që Kuvendi të mbahet me 6 korri ashtu siç është legjitim, unë do të përgatitem, do të diskutoj më klube dhe atëherë do të jem kandidat, por jo tash në një kuvend jolegjitim. Është një situatë e pakuptim, pasi po shantazhohen klubet, shantazhohen delegatët, janë bllokuar nënshkrimet dhe nuk e shoh të arsyeshme të jem pjesë e një kuvendi të tillë”, vlerësoi numri një i FC Prishtina i cili po beson se edhe klubi nuk do të jetë pjesë e kuvendit të 6 prillit.
“Ne si klub do të mbajmë një mbledhje dhe do të diskutojmë dhe besoj që as FC Prishtina nuk do të jetë pjesë e këtij kuvendi jo legjitim. I inkurajoj edhe klubet tjera të veprojnë njëjtë dhe mos të bëhen pjesë e një kuvendi të tillë. Pra duhet klubet të ulën të bisedojnë dhe të përgatiten për një kuvend të rregullt siç parashihet me 6 korrik 2022”, ka përfunduar Remzi Ejupi.