Magjia në “Bernabeu” në regjinë e Benzema, gjunjëzohet PSZH e “sheikëve”

Karim Benzema do të mbajë mend gjatë kohë mbrëmjen e sotme, teksa i vetëm arriti të mund Paris Sen Zhermenin e shumë yjeve, shumë miliardave, që edhe njëherë tjetër nuk i’a dolën përballë traditës, kulturës së futbollit, e në këtë rast Real Madridit, “Mbretërreshës së Europës”.

Paris Sen Zhermeni në Madrid kishte udhëtuar me epërsi minimale 1:0 nga ndeshja e parë, ndërsa goli i Kylian Mbape në minutën e 39-të, ua vështirësoi edhe më shumë punët “madrilenëve”, të cilët nuk u dorëzuan në asnjë moment, kjo falë edhe kapitenit të tyre Karim Benzema, i cili thjeshtë ishte i pandalshëm për parisienët.

Benzema pas një ore lojë fillimisht arriti që të barazojë shifrat në 1:1, ndërsa brenda dy minutave (76’ – 78’) francezi shënoi dy gola tjerë shumë të shpejtë, duke rrëzuar në këtë mënyrë  kullën miliardëshe të “sheikëve”, të cilët si duket edhe shumë vite do vazhdojnë të harxhojnë miliarda, mirëpo pa arritur që të marrin kurorën e futbollit europian.

Benzema me 3 golat e tij sonte, edhe pse në moshë 35-vjeçare, lirisht mund të themi se e zhvilloi ndeshjen e tij të karrierës, ashtu që në fund me plotë meritë u shpall edhe si futbollisti i ndeshjes.

Ndërkohë ndeshja tjetër e zhvilluar sonte në Angli midis Mançester Sitit dhe Sportingut të Lisbonës u mbyll me barazim pa gola. Megjithatë “pasanikët” e Sitit udhëtojnë tutje, kjo falë fitores 5:0 në ndeshjen e parë në Portugali.  (infOSport.mk)

Leave a Reply