18-vjeçari Alban Taipi tashmë disa vite është pjesë e skuadrës së parë të Renovës, megjithatë disa lëndime të natyrës më të rëndë e lanë për një kohë të gjatë jashtë fushave të futbollit këtë super talent, shkruan “infOSport.mk”.
Për herë të fundit në një ndeshje zyrtare, Taipi ishte paraqitur me 16 shkurt të vitit 2020, ndërsa për herë të parë gjatë këtij sezoni i njëjti luajti titullarë me fanellën e Renovës, për të cilën skukadër shënoi golin e vetëm dhe të barazimit kundër Pelisterit në Ohër.
Kjo ndeshje i takonte javës së 21-të në eliltën e futbollit vendor, ndërsa edhe pse Renova konsiderohej si favorit absolut në këtë përballje, nuk arriti që të arkëtojë 3 pikët e plota, me të cilat do të shpresonte edhe më shumë për atë pozitë të tretë në renditje.
Taipi golin e parë me ekipin e parë të Renovës në një ndeshje zyrtare e realizoi në fundin e pjesës së parë, kur shënoi për 1:1, rezultat ky që në fund doli të jetë edhe përfundimtarë.
Taipi luajti deri në minutën e 60-të, kur u zëvendësua nga kolumbiani Xhon Edy Mena Perez, mirëpo edhe ky i fundit nuk doli të jetë në element në takimin e sotëm kundër Pelisterit, që vazhdon të mbetet skuadra e vetme pa fitore në elitën e futbollit vendor.
Skuadra nga Manastiri në 21 javë kampionat ka regjistruar 6 barazime dhe 15 disfata, duke u pozicionuar vetëm në pozitën e fundit me 6 pikë, ndërkohë Renova me 31 pikë mban pozitën e 5-të.
Javën që vjen Renova në Tetovë në derbi ndeshjen e javës së 22-të do të mirëpret liderin, FC Shkupin. (infOSport.mk)