Voska Sport ka vazhduar serinë e fitoreve, teksa sot në derbin lokal mundi ekipin e Ohrid me rezultatin minimal, 1:0. Golin e vetëm dhe të fitores e realizoi Izair Emini, i cili si një kapiten i vërtetë në minutat shtesë të takimit morri përgjegjësinë e ekzekutimit të penaltisë, duke mos gabuar dhe duke i siguruar 3 pikë të mëdha skuadrës shqiptare nga Ohri.
Pikërisht Emini kishte përfituar penaltinë e akorduar në minutën e 93-të, pasi ishte ndalur në mënyrë të palejuar nga mbrojtësi mysafir, Hristijan Mitrevski.
Kjo fitore fiton në peshë, kjo pasi Sileksi barazoi pa gola në transfertën ndaj Besës së Dobërdollit, duke ngushtuar në këtë mënyrë epërsinë në pikë ndaj skuadrës nga Kratova.
Pjesa e parë doli të jetë më e barazpeshuar, ndërsa në të dytën thuajse në terren ekzistonte vetëm Voska Sport, skuadër kjo që në minutën e 65-të gjeti golin përmes Argjent Gafurit, mirëpo i njëjti u anulua për shkak një ndërhyrje të palejuar ndaj portierit Serafimov, i cili në minutën e 69-të doli të jetë me shumë fat pas goditjes së Altin Llogës. Ky i fundit lëshoi një predhë me të majtën e tij nga jashtë 16-të metërshit, që u ndal në traverzë.
Një tjetër rast shënimi, pati edhe Behar Feta në minutën e 78-të, mirëpo goditja e shkupjanit, edhe njëherë tjetër u ndal nga portieri i mysafirëve, i cili megjithatë kapituloi në minutat shtesë të takimit, kur Izair Emini nga penaltia shënoi për 1:0.
Ishte kjo fitorja e 12-të sezonale për Voska Sport, që me 38 pikë renditet në pozitën e dytë.
Ndeshjen e rradhës Voska Sport do ta zhvillojë me 5 mars kundër Teteksit në Tetovë. (infOSport.mk)