Ish futbollisti i FC Shkupit, Benjamin Demir, i cili së fundmi ishte pjesë e Skopjes nga Autokomanda, ka vendosur që karrierën e tij ta vazhdojë te Vardari, aty ku edhe kishte bërë hapat e parë me futbollin, njofton “infOSport.mk”.
Bëhet fjalë për një futbollistë 25-vjeçar, të cilin trajneri Nikolla Gligorov mund ta përdor në më shumë pozicione në krahun e djathtë, qoftë si mesfushor krahu, apo edhe si sulmues krahu, edhe pse gjatë karrierës së tij, i njëjti ka luajtur edhe si mbrojtës i krahut të djathtë.
Në këtë pozitë, Demir kishte luajtur me FC Shkupin, pjesë e së cilës skuadër ishte gjataë vitit 2020, ndërsa i njëjti vlen të theksohet se në LPFMV numëron plotë 106 ndeshje dhe 9 gola të shënuar.
Për Demir do të jetë kjo hera e parë që do të luaj me ekipin e parë të Vardarit, edhe atë në ligën e dytë. Skuadra me më shumë trofe në vend ka bërë disa lëvizje gjatë afatit kalimtarë të dimrit, duke rikthyer edhe portierin Filip Gaçevski, si dhe mesfushorin Darko Micevski, mirëpo do ta kenë shumë të vështirë në garën për tu rikthyer në elitën e futbollit vendor, pasi shohin konkurrent shumë serioz te skuadrat si Sileksi dhe Voska Sport, që mbajnë dy pozitat e para në renditjen e Ligës së Dytë – Perëndim.
Vardari stinorin vjeshtorë e mbylli në pozitën e 3-të me 29 pikë, 3 më pak se Voska Sport, teksa ndeshjen e parë në stinorin pranveror që starton këtë të shtunë, “kuqezinjtë” nga Shkupi do ta zhvillojnë kundër skuadrës së Ohrid Lihnidos në transfertë. (infOSport.mk)