FC Shkupi është në rrugë të mirë për të fituar titullin e kampionit këtë vit në elitën e futbollit vendor. Bardhekaltërit e mbyllën gjysmësezonin vjeshtor në vendin e parë në tabelë, me 7 pikë më shumë se vendi i dytë Akademia Pandevi dhe 8 më shumë se Shkëndija që ndodhet në pozitën e tretë.
Skuadra bardheblu përveç ecurisë së mirë në këtë sezon, është ngritur ndër vite gradualisht edhe në aspekte tjera si skuadër. Shkupi vazhdimisht viteve të fundit, duke u bazuar në klubet moderne dhe europiane, përgatitjet dimërore i kryen në Antalia të Turqisë, ndërsa edhe këtë vit bazën e kishin në tokën turke. Për të qenë më afër liderit aktual të renditjes, ekipi televizionit Shenja, udhëtoi drejt Antalias për të vizituar kampin bardheblu, ndërsa aty zhvilluam edhe një bisedë me drejtorin sportiv të kësaj skuadre, Omer Bunjakun, i cili së bashku me sekretarin e klubit, Emir Shabanin ishin në dispozicionin e ekipit gjatë gjithë kohës.
Omer Bunjaku, drejtor sportiv
“Përgatitjet në përgjithësi këtu në Antalia kanë kaluar mirë, por për fat të keq kemi një lëndim serioz të futbollistit tonë Abdul Ratubjaje, ku nuk do të jetë në fushat e gjelbërta për një periudhë 6 mujore. Ne i dëshirojmë shërim sa më të shpejtë dhe të na bashkangjitet në ekip sa më parë”.
Drejtori sportiv i skuadrës nga Çairi, thotë se kushtet e mira për punë që ofron ky vend, bën që futbollistët dhe stafi i trajnerëve ti realizojnë të gjitha plan-programet për fazën përgatitore, gjë që të njejtën nuk mund ta bëjnë në Shkup gjatë kësaj periudhe dimri.
Omer Bunjaku, drejtor sportiv
“Pa dyshim kushtet e mira që ofrohet këtu në Antalia na ndihmojnë shumë. Vazhdojmë të qëndrojmë më shumë këtu për shkak kushteve, motit të mirë, fushave të mira ku kemi mundësi të bëjmë stërvitje të mira, pasi tek ne e dijmë se në këtë periudhë moti është me borë dhe fushat nuk janë që të mundësojnë për ti zhvilluar 2 ose 3 stërvitje në ditë. Këtu janë kushtet më të mira dhe për at arsye qëndrojmë më gjatë këtu”.
Drejtuesit e Shkupit gjatë qëndrimit në tokën turke kanë punuar për të sjell edhe futbollist të ri në skuadër, duke përforcuar kështu ekipin për në gjysmësezonin pranveror.
Omer Bunjaku, drejtor sportiv
“Po jemi përforcuar në ato në pozicione ku kemi menduar se kemi nevojë. Kemi bërë edhe disa ndërpreje të bashkëpunimit me disa futbollist ku e kemi parë të arsyeshme se nuk mund të na kontribojnë më shumë. I kemi falenderuar dhe shpresojmë që me këto përforcime të reja të vazhdojmë sa më lartë”.
Shkupi përkrahë përgatitjeve, në Antalia zhvilloi edhe 5 ndeshje kontrolluese. Testi i fundit, në të cilin ishte i pranishëm edhe ekipi i televizionit Shenja, ishte ishte me skuadrën nga Çairi që u përballë me ekipin rus, Akhmat Groznyn.
Ndeshja u mbyll me barazim 2:2 edhe pse të përzgjedhurit e Goce Sedlloskit në fushë u treguan më të mirë se ekipi rus, duke prodhuar raste shumë më të mira se kundërshtari.
Në radhët e Groznyt ishte edhe një shqiptar, më saktësisht, një reprezentues i përfaqësues së Kosovës, Bernard Berisha, i cili pjesë e ekipit rus është që nga viti 2016.
Pas ndeshjes Berisha u ndal të flet për televizionin Shenja. Ai komentoi ndeshjen dhe foli për ekipin shqiptar nga Maqedonia e Veriut, duke përmendur edhe Llapin që kishin luajtur kundër tyre më herët.
Bernard Berisha, futbollist i Groznyt
“Sot i kishim dy ndeshje me ekipe shqiptare. E para ishte kundër Llapit, ndërsa sonte luajtëm kundër Shkupit. Për mua është një ndjenjë shumë e mirë, shumë e veçant. Në fakt të dyja skuadrat si Llapi si Shkupi, kanë ngritur nivelin, janë skuadra të forta dhe gëzohem shumë që futbolli shqiptar po ecën çdo ditë e më mirë. Kryesorja e këtyre dy ndeshjeve ka qenë se futbollistët nuk kanë pasur lëndime dhe shpresoj që ky fat i përcjell edhe gjatë kampionatit dhe të dyja skuadrave ju urojë shumë suksese në vazhdim”
“Në fakt unë vijë pas një pauze tre mujore. Falë Zotit tashmë jam kthyer me ekipin, ngadalë po e marr veten dhe shpresoj që të eci mirë”.
Duke shfrytëzuar momentin, me Berishën u ndalëm për të folur edhe për situatën te përfaqësuesja e Kosovës. Berisha tha se gjithmonë është i gatshëm të luajë për vendin e tij dhe pret ndryshime nga seleksionuesi i ri që do të vjen.
Bernard Berisha, futbollist i Groznyt
“Të luash për vendin tënd është një ndjenjë e veçant. Unë menzi që pres të zbresë në fushë me fanellën e kombëtares dhe shpresoj që me trajnerin e ri, gjërat të ndryshojnë dhe të kthehem aty ku e kam pasur vendin”
Kjo ndeshje interesante e Shkupit ndaj Groznit u ndjek nga afër edhe nga seleksionuesi i përfaqësues së Maqedonisë së Veriut, Bllagoja Milevski, i cili ishte i pranishëm në stadium me seleksionuesin U21 të vendit, Dragi Kanatllarovski dhe dy drejtorët e reprezantacionëve, Deni Masev e Nikolla Zerdevski.
Gjithashtu edhe në ndeshjet tjera të luajtura në tokën turke, futbollistët e Shkupit ishin nën vëzhgimin e skautëve dhe menaxherëve të ndryshëm, ndërsa në një prej sfidave të pranishëm kishte edhe përfaqësues të skuadrës gjigande nga Stambolli, Fenerbahçe.
Kushte maksimale për punë dhe gjithçka shkoi mir, por futbollistët e Shkupit kishin vetëm një mungesë. Ato ishin tifozët e tyre “Shvercerat”, me futbollistët që këndonin këngët e Shkupit në Antalia në mungesë të tyre. Shkupi në Antalia qëndroi deri më 2 shkurt dhe më pas u rikthye në kryeqytet. Të gatshëm për ndeshje dhe për sfidat që i presin në gjysmësezonin e mbetur. Bardheblutë rrugëtimin për të mbrojtur pozitën e vjeshtës, e nisin me ndeshjen ndaj Akademia Pandevit me 13 shkurt.