Struga Trim Lum barazon me bullgarët e Botev Vratsa

Struga Trim Lum gjatë ditës së sotme në “Tropikal Resort” në Durrës ka zhvilluar edhe takimin e dytë kontrollues në kuadër të përgatitjeve për stinorin pranveror, njofton “infOSport.mk”.

Kundërshtarë i rradhës i skuadrës strugane ishte FC Botev Vratsa nga Bullgaria, me të cilën skuadër në fund ekipi i Srgjan Zaharievskit u nda në barazim 1:1.

Pjesa e parë doli të jetë më e mirë për ekipin strugan, që ndeshjen e nisi me këtë formacion: Taleski, Ramadani, Pere, Saviç; Kasami, Bosançiç, Bojku; Koçoski, Shabani, Kadriu, Jobe.

Një formacion ky 3-5-1-1, me sulmuesin nga Gambia Jobe, që ishte më i avansuar, ndërsa pas tij menjëherë qëndronte Bunjamin Shabani. Në krahët e mesfushës, Koçoski dhe Kadriu më shumë kishin detyra ofenzive, derisa në mesfushë dirigjonte treshja Bosançiç-Boku-Kasami, me këtë të fundit që bënte lidhjen e mbrojtjes me mesfushën. Ndërkohë në mbrojtje para portierit Taleski, qëndronte treshja Ramadani, Pere, Saviç.

Struga Trim Lum në këtë pjesë krijoi disa raste shumë serioze para portës kundërshtare, ndërsa vetëm njëri prej tyre u shfrytëzua nga ana e kërçovarit, Florian Kadriu. Kështu Struga Trim Lum në pushim shkoi me epërsi minimale, ndërsa në pjesën e dytë Zaharievski ju dha mundësinë edhe futbollistëve të tjerë që kishte në disponim. Edhe në këtë pjesë, Struga Trim Lum krijoi raste për gol, mirëpo mungoi finalizimi këtë herë, ndërsa më së miri këtë e shfrytëzuan futbollistët e BotevVratsa, të cilët me anë të argjentinasit  Jose Graheda Totti, arritën që fare në fund të barazojnë shifrat në 1:1.

Struga Trim Lum vetëm dy më pas (28 janar) do të takohet me ekipin e Besës nga Dobërdolli, që gjithashtu po zhvillon fazën e përgatitjeve në Durrës të Shqipërisë. (infOSport.mk)

Leave a Reply