Shkëndija e Tetovës në këto momente në Antalia të Turqisë po zhvillon edhe takimin e tretë kontrollues në kuadër të përgatitjeve për stinorin pranveror, njofton “infOSport.mk”.
Kundërshtarë i “kuqezinjëve” nga Tetova është skuadra e Warta Poznan, që gjithashtu garon në elitën e futbollit polak, njëjtë sikurse edhe kundërshtari paraprak, Piast Gliwice.
Pas 45 minutave të para skuadra e Bruno Akrapoviç po avanson me shifrat 2:1, falë “dopietës” së Valmir Nafiut.
Numri 10 i “kuqezinjëve” golin e parë e realizoi në minutën e 32-të nga pika e bardhë, të cilën e kishte përfituar Adenis Shala, ndërkohë në minutën e 43-të i njëjti shënoi nga një distancë shumë e largët.
Nafiu ekzekutoi një goditje të lirë nga e majta, ndërsa harkimi i tij në fund përfundoi në rrjetën e portierit kundërshtarë, pa e prekur asnjëri prej lojtarëve, qoftë “kuqezi”, apo edhe me fanella “bardhegjelbër”.
Ndryshe golin e vetëm, me të cilin përkohësisht barazuan shifrat, futbollistët e Warta Poznan e shënuan në minutën e 39-të, me anë të Mateush Kuzimski, i cili shënoi një super gol me gërshërë.
Mbetet të shohim se si do të rrjedhin 45 minutat e dyta, në të cilat Shkëndija futet me disa futbollistë të rinj, si Zija Merxhani, Mexhit Neziri, Dashmir Elezi, etj. (infOSport.mk)