Renova i ka nisur me disfatë kontrollueset e këtij viti, teksa sot është mundur në Kosovë nga Ferizaji me shifrat 4:1, njofton “infOSport.mk”.
Ndeshja në fjalë u zhvillua në stadiumin “Ismet Shabani” në Ferizaj, aty ku skuadra nikoqire ishte shumë më e përgatitur se Renova, gjë për të cilën flet edhe vetë rezultati.
Golin e vetëm për Renovën në këtë përballje e realizoi Emran Ramadani pas asistimit të Fisnik Zukës, derisa Florim Berisha, Bleon Shaqiri, Enis Sefa dhe Kenan Orana ishin realizatorët e golave për ekipin e Ferizajit, që këtë edicion synim kryesor e ka rikthimin në elitën e futbollit kosovar.
Kujtojmë FC Ferizaji e mbylli stinorin vjeshtor në pozitën e dytë në Grupin B të Ligës së Parë me 25 pikë, vetëm një më pak se skuadra kryesuese e Vushtrrisë. (infOSport.mk)