Artim Pollozhani pas 5 viteve të kaluara te Shkëndija po i thotë lamtumirë kësaj skuadre, ku kishte kaluar momentet e tij ë të mirë gjatë karrierës.
Siç e thotë edhe vetë futbollisti strugan në letrën e tij lamtumirëse, ai po ikën nga shtëpia e tij, duke lënë pas një të kaluar që përmban gjithçka. Suksese e dështime, momente gëzimi e dëshprimi, rënie e ngritje, por mbi të gjitha një krenari për gjithë ato vite që kishte kaluar te skuadra “kuq e zi”, sukseseve të së cilës skuadër do ju gëzohet edhe më tej.
Më poshtë ju sjellim në tërësi letrën lamtumirëse të futbollistit 35-vjeçar, i cili nesër pritet që të zyrtarizohet si një futbollist i ri i Flamurtarit të Vlorës.
“Në jetë shpesh dëgjojmë thënien se “çdo fillim ka një fund” dhe unë tani po përballem me fundin e një historie shumë të bukur dhe domethënëse në jetën time profesionale.
Nuk e kisha menduar kurrë këtë ndjenjën e ndarjes me klubin ku kalova vitet më të lumtura të karrierës sime, Shkëndijën.
Kjo ndjenjë që më jep përshtypjen se po iki nga shtëpia ime, duke lënë pas një të kaluar që përmban gjithçka. Suksese e dështime, momente gëzimi e dëshprimi, rënie e ngritje, por që mbi të gjitha mbizotëron krenaria për gjithë atë që përjetova me këtë skuadër.
Shkëndija u bë shtëpia ime e dytë, ndërsa pjesëtarët dhe tifozët e saj si pjesë e familjes sime. Prandaj kjo ndarje po më dhemb, por gjithsesi jam i vetëdijshëm se një ditë do të ndodhte.
Tani më kur edhe zyrtarisht unë nuk jam pjesë e këtij klubi, dua të them se ndjehem jashtëzakonisht krenar për gjithçka që bëra për klubin dhe atë që skuadra bëri për mua. Largohem me krenari të madhe si një prej futbollistëve të rrallë që ka regjistruar mbi 200 ndeshje zyrtare në fanellën “kuqezi”, dhe sa të jem gjallë do të mbaj mend sukseset dhe gëzimet, sepse gjërat negative i kam fshirë nga memoria. Ndoshta pengu i vetëm më mbetet titulli i kampionit si lojtar aktiv i kësaj skuadre, por nuk dyshoj se Shkëndija do e fitojë atë dhe unë do të gëzohem njejtë sikur të jem aty.
Sot, kur duhet të them lamtumirën time, ndjej përgjegjësinë morale të falënderoj të gjithë ata me të cilët kam bashkëpunuar gjithë këto vite. Bashkëlojtarët, trajnerët, personelin teknik, kryesitë dhe më të rëndësishmit, tifozët e zjartë “Ballistët”. Ju ishit dhe do të mbeteni pjesë e zemrës sime, pasi ajo i përket kësaj skuadre që më dha aq shumë. Kam luajtur edhe në vende tjera, por Shkëndija ishte dhe mbetet diçka ndryshe.
Klubit të futbollit Shkëndija i uroj gjithë të mirat në të ardhmen, pasi ai sponsor, ai qytet dhe ajo tifozeri meritojnë fitore dhe tituj. Nuk dyshoj se skuadra do të vazhdojë rritjen në të ardhmen, ndërsa unë gjithmonë do të jem një tifoz i madh i Shkëndisë sime.
Me shumë respekt, mirënjohje dhe falënderim, i juaji Artim Pollozhani.
Mbi të gjitha Shkëndija”.